Kur t'i fryhet surit, do të vdesin të gjithë ata që janë në qiej dhe ata në tokë, me përjashtim të atyre që do Allahu. Pastaj do të fryhet në të përsëri, dhe ja, ata do të ngrihen duke shikuar.
Toka do të shndrisë nga drita e Zotit të vet e do të vendoset Libri (i veprave), si dhe do të sillen profetët e dëshmitarët dhe do të gjykohen me drejtësi e nuk do t'u bëhet e padrejtë.
Ata që mohuan do të shtyhen drejt Xhehenemit në turma. Kur të arrijnë atje e dyert e tij të jenë hapur, rojat do t'u thonë: "A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj për t'jua lexuar shpalljet e Zotit tuaj dhe për t'ju paralajmëruar për takimin e kësaj dite?" Ata do të thonë: "Po, sigurisht, por vendimi i dënimit u bë i pashmangshëm për jobesimtarët."
Ndërkaq, ata që patën frikë Zotin e tyre, do të çohen në Xhenet në turma. Kur të arrijnë atje e dyert e tij të jenë hapur, rojat do t'u thonë: "Paqja qoftë mbi ju! Ju keni qenë të mirë, prandaj hyni në të, për të qëndruar përgjithmonë!"
Ata do të thonë: "Lavdërimi i takon Allahut, që përmbushi premtimin e Vet dhe na la në trashëgim tokën (e Xhenetit), që të vendosemi në të kudo që dëshirojmë. Sa i shkëlqyer është shpërblimi i punëtorëve!