Ai ju krijoi prej një njeriu të vetëm, pastaj prej tij bëri bashkëshorten e tij dhe krijoi për ju tetë çifte bagëtish. Ai ju krijon në barqet e nënave tuaja, krijim pas krijimi, në tri shtresa errësire. Ky është Allahu, Zoti juaj. Atij i takon sundimi. Askush pos Tij nuk meriton të adhurohet. Pra, përse shmangeni atëherë?!
Nëse ju mohoni, Allahu nuk ka nevojë për ju, ndonëse nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Tij. Por, nëse jeni mirënjohës, Ai e pëlqen atë për ju. Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit. Pastaj kthimi juaj është te Zoti juaj dhe Ai do t'ju njoftojë për atë që keni punuar. Pa dyshim, Ai është i Gjithëdijshëm për atë që ka në zemra.
Kur njeriun e godet fatkeqësia, ai i lutet Zotit të vet, i kthyer tek Ai me pendim. E, kur i dhuron mirësi nga ana e Tij, ai harron krejtësisht për çfarë lutej më parë dhe i sajon Allahut ortakë, për të shmangur të tjerët nga rruga e Tij. Thuaj: "Kënaqu me mosbesimin tënd për pak kohë, se ti, pa dyshim, do të jesh prej banorëve të Zjarrit!"
(A është më i mirë ky) apo ai që vazhdimisht falet gjatë natën, duke bërë sexhde e duke qëndruar në këmbë, që ka frikë botën tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?" Në të vërtetë, vetëm mendarët marrin mësim.
Thuaj: "O robërit e Mi që besoni, frikësojuni Zotit tuaj! Për ata që bëjnë mirë në këtë botë do të ketë të mira. Ndërkohë, toka e Allahut është e gjerë. Njëmend, durimtarët do të shpërblehen pa masë."