Ai u tha: “A mos vallë t’jua besoj juve, ashtu siç jua pata besuar më parë vëllanë e tij? Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve”!
Kur i çelën barrët e tyre dhe gjetën të hollat e tyre, që ua kishin kthyer, ata thanë: “O ati ynë! Ç’duam më tepër? Këto janë gjërat tona; na janë kthyer. Ne do ta furnizojmë familjen tonë, do ta ruajmë vëllain tonë dhe do ta shtojmë një barrë deveje (ushqim), e kjo është barrë e lehtë.”
Ai tha: “Unë kurrsesi nuk do ta dërgoj me ju, derisa të betoheni në Allahun, se do të ma ktheni, me përjashtim të rastit kur ju rrezikon ndonjë e keqe e madhe (të gjithëve).” Kur ata u betuan, ai u tha: “Allahu është dorëzënës për atë që flasim ne.
O djemtë e mi, mos hyni nga e njëjta portë (e qytetit), por nga porta të ndryshme. Unë nuk mund të largoj prej jush asgjë nga (ajo që ju ka caktuar) Allahu! Se pushteti i përket vetëm Allahut. Tek Ai mbështetem unë dhe tek Ai le të mbështeten ata që dëshirojnë të jenë të mbështetur (tek Allahu)”!
Kur ata hynë (në qytet), ashtu siç i urdhëroi babai i tyre, dëshira e Jakubit u përmbush, por kjo nuk i ndihmoi aspak para caktimit të Allahut. Ai (Jakubi), në të vërtetë, ka qenë dijetar i madh, sepse Ne e kemi mësuar, por shumica e njerëzve nuk e di.
Kur dolën para Jusufit, ky e afroi vëllanë e vet (Beniaminin) dhe i tha: “Unë në fakt jam vëllai yt dhe mos u hidhëro për atë që më bënë vëllezërit tanë!”