Njërit nga ata dy që shpëtoi (nga burgu), iu kujtua pas një kohe e tha: “Unë do t’ju njoftoj për shpjegimin e kësaj (ëndrre), vetëm më dërgoni (te Jusufi)!”
(Shërbëtori) I tha: “O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndrrën) për shtatë lopë të majme, të cilat hahen prej shtatë lopëve të dobëta dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë tjerë të tharë, që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata”.
Mbreti tha: “Sillmani atë!” Kur (Jusufit) i erdhi i dërguari, ai i tha: “Kthehu te mbreti yt e pyete: ç’patën ato gra që prenë duart e veta?” Me të vërtetë, Zoti im i di dredhitë e tyre”!
Mbreti u tha (grave): “Si qe puna juaj kur deshët ta joshnit Jusufin?”. Ato thanë: “Allahu na ruajttë! Ne nuk dimë asgjë të keqe për atë”. Gruaja e Azizit (ministrit) tha: “Tani do të dalë në shesh e vërteta! Unë u përpoqa që ta joshja atë; ai është vërtet njeri i drejtë”.
(Jusufi) tha: “(E kërkova këtë hetim) që ta dijë ai[151], se unë nuk e kam tradhtuar gjatë kohës së mungesës së tij. Vërtet, Allahu nuk u jep fund të mirë dredhive të tradhtarëve.