[430] Sipas disa komentuesve, përmbajtja e kësaj sureje është e lidhur ngushtë me suren e mëparshme, duke lënë të nënkuptohet se shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri për të mbrojtur kurejshët.
[431] Struktura ekonomike mbi të cilën ishte ngritur mirëqenia e kurejshëve të Mekës, bazohej në dy situata tregtare: njëra ishte pelegrinazhi i përvitshëm, që sillte në Mekë të gjithë arabët e Gadishullit Arabik, kurse tjetra ishte udhëtimi i dy karvanëve vjetorë, njëri drejt Jemenit gjatë dimrit dhe tjetri drejt Shamit (sot Siria, Palestina, Libani dhe Jordania) gjatë verës. Pozicioni qendror i Mekës ndërmjet Mesdheut dhe Oqeanit Indian dhe aftësitë e jashtëzakonshme të tregtarëve kurejshë, bënë që këta dy karvanë të ktheheshin në pikëmbështetjen e të gjithë aktivitetit ekonomik të qytetit.