Allahu do të thotë: "Hyni në Zjarr me popujt e xhinëve dhe njerëzve që kanë qenë para jush." Sa herë që një popull hyn në të, do të mallkojë vëllezërit e vet (në besim). E, kur të tubohen të gjithë brenda, të fundmit do të thonë për të parët e tyre: "O Zoti ynë, këta na çuan në humbje, andaj jepu atyre një dënim të dyfishtë me Zjarr." Ai do të thotë: "Për secilin nga ju ka dënim të dyfishtë, por ju nuk e dini."
Njëmend, atyre që përgënjeshtrojnë ajetet Tona dhe tregohen mendjemëdhenj ndaj tyre, nuk do t'u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhenet derisa të kalojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Kështu i ndëshkojmë keqbërësit.
Kurse ata që besojnë e bëjnë punë të mira, - ndërkohë Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij, - ata janë banorët e Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë.
Ne do të shkulim mërinë nga zemrat e tyre. Poshtë tyre do të rrjedhin lumenj e ata do të thonë: "Lavdërimi i takon Allahut që na udhëzoi për këtë, sepse ne nuk do të gjenim udhëzimin po të mos na përudhte Allahu. Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë na e sollën të vërtetën." Ata do të dëgjojnë thirrjen: "Ja, ky është Xheneti që ju e trashëguat për shkak të asaj që punuat."