Ditën që do ta shihni atë, çdo nënë gjidhënëse do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta dështojë foshnjën e saj e do t'i shohësh njerëzit sikur të dehur, megjithëse ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i rëndë.
O njerëz, nëse dyshoni në ringjalljen, atëherë (dijeni se) Ne ju krijuam prej dheut, pastaj prej një pikle, pastaj prej një mpiksjeje gjaku, pastaj prej një cope mishi ("të përtypur") me trajtë të plotë ose të paplotë, që t'jua bëjmë të qartë (fuqinë Tonë). Ne mbajmë në mitra atë që duam deri në një afat të caktuar, më pas ju nxjerrim si foshnja e pastaj jua mundësojmë që të arrini moshën e pjekurisë. Disa prej jush vdesin e disa lihen të arrijnë pleqërinë e shtyrë, që të mos dinë më asgjë nga dituria që kishin. Ti e sheh tokën të pajetë, por sapo të lëshojmë shi mbi të, ajo gjallërohet, gufon dhe nxjerr çdo lloj bime të këndshme.