Në mesin e hebrenjve ka nga ata që i nxjerrin fjalët nga kuptimi i tyre dhe thonë: "Dëgjojmë, por kundërshtojmë", ose "Dëgjo, mos dëgjofsh!", ose "Ra'ina"[1], duke shtrembëruar kuptimin me gjuhët e tyre dhe duke fyer fenë. Por, sikur të thoshin: "Dëgjojmë e bindemi" dhe "Dëgjo!" e "Na shiko!", do të ishte më mirë për ta dhe më e drejtë, por Allahu i mallkoi ata për mosbesimin e tyre, prandaj nuk besojnë, përveçse pak.
[1] Fjala arabe "raina" do të thotë: "Na dëgjo me vëmendje!", mirëpo, meqë kjo fjalë ka disa kuptime, hebrenjtë e përdornin duke pasur për qëllim një kuptim fyes kur i drejtoheshin pejgamberit Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!
O ju që ju është dhënë Libri! Besoni në atë që e kemi zbritur si vërtetues të asaj që e keni ju para se t'jua shuajmë tiparet e fytyrës e t'i kthejmë së prapthi (fytyrat tuaja) ose t'ju mallkojmë ashtu siç i mallkuam shkelësit e (ligjit të) së shtunës. Urdhri i Allahut do të jetësohet medoemos.
Pa dyshim, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër përveç Tij, ndërsa gjynahet më të vogla ia fal kujt të dojë. Kush adhuron dikë a diçka tjetër përveç Allahut, vërtet ka bërë një mëkat të madh.
A nuk i ke parë ata të cilëve u është dhënë një pjesë (nga dija) e Librit sesi besojnë në besëtytni e hyjni të rreme dhe thonë për jobesimtarët: "Këta janë në rrugë më të drejtë se ata që besojnë (muslimanët)"?!