Prej shenjave të Tij është gjithashtu se ti e sheh tokën të pajetë, por sapo të lëshojmë shi mbi të, ajo gjallërohet e gufon. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Ata që shtrembërojnë Shpalljet Tona, nuk mund të fshihen prej Nesh. A është më i mirë ai që hidhet në Zjarr apo ai që vjen i sigurt në Ditën e Kiametit? Bëni çfarë të doni, se Ai sheh mirë gjithçka që veproni!
Sikur ta kishim bërë Kuranin në gjuhë të huaj, ata do të thoshin: "Përse nuk na shpjegoheshin ajetet e tij! Si mund të jetë në gjuhë të huaj, ndërkohë që ai (Muhamedi) është arab?!" Thuaj: "Për ata që besojnë, ai është udhëzim dhe shërim." Ndërkaq, ata që nuk besojnë, kanë veshë të shurdhër dhe janë të verbër ndaj tij. Ata janë njësoj si ata që thirren nga ndonjë vend i largët.
Në të vërtetë, Ne ia dhamë Musait Librin, por u kundërshtuan rreth tij. Por, po të mos ishte një fjalë e mëparshme nga Zoti yt, do të gjykohej ndërmjet tyre, ndërkohë që ata janë në mëdyshje lidhur me të.