Të përdalën dhe të përdalin, rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind të rëna dhe të mos ju kaplojë dhembshuria ndaj tyre kur bëhet fjalë për ligjin e Allahut, nëse njëmend e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le të jenë të pranishëm në dënimin e tyre një grup besimtarësh.
I përdali mund të martohet vetëm me ndonjë të përdalë ose idhujtare. Po ashtu, me të përdalën mund të martohet vetëm ndonjë i përdalë ose idhujtar. Ndërkaq, kjo është e ndaluar për besimtarët.
Ata që akuzojnë gratë e dëlira (për kurvëri) dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, rrihni me tetëdhjetë të rëna dhe mos ua pranoni kurrë dëshminë, sepse ata janë të pabindur,
Ndërkaq, ai që akuzon gruan e vet (për tradhti bashkëshortore), pa pasur asnjë dëshmitar përveç vetes, duhet të betohet katër herë në Allahun se po e thotë të vërtetën.
Në të vërtetë, ata që trilluan shpifjen janë një grup prej jush. Mos e mendoni si të keqe për ju! Përkundrazi, ajo është në të mirën tuaj. Çdonjëri prej tyre do të marrë dënimin për gjynahun që ka bërë, por ai që i priu kësaj (shpifjeje) do të ketë një dënim të madh.
Sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush në këtë botë dhe në tjetrën, do t'ju kaplonte një dënim i madh për shkak të asaj (shpifjeje) në të cilën u përfshitë,
kur e përcillnit me gjuhët tuaja dhe e thoshit me gojë atë për të cilën nuk kishit njohuri dhe e merrnit për të lehtë, por tek Allahu kjo është shumë e rëndë.
Në të vërtetë, ata që duan të përhapet pandershmëria në mesin e besimtarëve, do të kenë një dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu di e ju nuk dini.
O ju që besuat, mos i ndiqni gjurmët e shejtanit! Kushdo që ndjek gjurmët e shejtanit, (le ta dijë se) ai urdhëron veç për vepra të shëmtuara e të këqija. Po të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, nuk do të pastronte asnjërin prej jush (nga gjynahet), por Allahu pastron kë të dojë. Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.
Fisnikët e të pasurit ndër ju le të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve, nevojtarëve e mërgimtarëve në rrugën e Allahut. Le të falin e të mos ua varin veshin! A nuk doni që Allahu t'ju falë ju? Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
Gratë e pandershme janë për burrat e pandershëm dhe burrat e pandershëm janë për gratë e pandershme. Gratë e ndershme janë për burrat e ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gratë e ndershme. Këta janë të pastër nga ajo që thonë (shpifësit). Për ta do të ketë falje dhe furnizim bujar.
Nëse nuk gjeni askënd aty, mos hyni në to derisa t'ju jepet leja. Nëse ju thuhet të ktheheni, atëherë kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. Allahu di mirë gjithçka që bëni.
Thuaju besimtarëve të ulin shikimin e tyre dhe të ruajnë nderin e tyre; kjo është më e pastër për ta. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që bëjnë ata.
Thuaju besimtareve të ulin shikimin e tyre, të ruajnë nderin e tyre dhe të mos e zbulojnë bukurinë e tyre përveç asaj që është e dukshme. Le t'i lëshojnë mbulesat e tyre (të kokës) mbi kraharorët e tyre dhe të mos u zbulojnë bukurinë e tyre askujt përveç burrave të tyre, baballarëve të tyre, baballarëve të burrave të tyre, djemve të tyre, djemve të burrave të tyre, vëllezërve të tyre, djemve të vëllezërve dhe djemve të motrave të tyre, grave, atyre që i kanë nën zotërim (skllevërve), meshkujve që nuk kanë epsh dhe fëmijëve që ende nuk dinë për intimitetin e grave. Dhe le të mos i përplasin këmbët (për toke) për të tërhequr vëmendjen për stolitë e tyre të fshehura. Pendohuni tek Allahu që të gjithë, o besimtarë, që të shpëtoni!
Martojini të pamartuarit e të pamartuarat ndër ju, si dhe robërit e robëreshat tuaja që janë besimtarë. Në qofshin të varfër, Allahu do t'i pasurojë me të mirat e Tij, se Allahu është Bujar i Madh, i Gjithëdijshëm.
Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbahen derisa t'i pasurojë Allahu me të mirat e Tij. Nëse skllevërit që i keni nën zotërimin tuaj dëshirojnë të lirohen me kompensim, lidhni marrëveshje me ta, nëse gjeni mirësi tek ata dhe jepuni nga pasuria që jua ka dhënë Allahu. Dhe mos i detyroni robëreshat tuaja të bëjnë kurvëri, – përderisa ato e duan dëlirësinë, – duke kërkuar kështu përfitimet e kësaj bote. Por, nëse dikush i detyron ato, atëherë Allahu, pas atij detyrimi, është Falës i Madh e Mëshirëplotë për to.
Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij i shëmbëllen një kandili të vendosur në një kamare. Kandili është në një kristal, e kristali duket si të ishte yll ndriçues që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar ulliri, i cili s'është as në lindje e as në perëndim, ndërsa vaji i tij shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon drejt dritës së Vet atë që do. Allahu sjell shembuj për njerëzit dhe Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
(Kjo dritë) është në shtëpitë (xhamitë) të cilat Allahu urdhëroi që të ngrihen dhe të përmendet në to emri i Tij. Atë e madhërojnë në to, mëngjes e mbrëmje,
disa burra, të cilët shitblerja nuk i shpërqendron nga përmendja e Allahut, falja e namazit dhe dhënia e zekatit. Ata i frikësohen një Dite kur zemrat dhe sytë do të tronditen,
Ndërkaq, veprat e atyre që nuk besojnë janë si mirazhi në shkretëtirë, të cilin i eturi e kujton për ujë e, kur arrin aty, nuk gjen asgjë, por e gjen Allahun, i Cili ia jep të plotë llogarinë, se Allahu është i shpejtë në llogari.
Ose (veprat e tyre) janë si errësirat në një det të thellë të mbuluar me dallgë mbi dallgë, sipër të cilave ka re - shtresa errësire, njëra mbi tjetrën, aq sa, kur njeriu nxjerr dorën e vet, vështirë që e sheh. Pra, ai të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk ka për të pasur kurrfarë drite.
A nuk e sheh se të gjithë ata që janë në qiej dhe në Tokë e madhërojnë Allahun, madje edhe shpendët krahëhapur?! Secili e di mënyrën e vet të faljes e të madhërimit. Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që bëjnë ata.
A nuk e sheh se si Allahu i bën retë të lëvizin lehtë, pastaj i mbledh ato e i bën grumbull dhe më pas sheh shiun sesi del prej tyre?! Ai lëshon nga qielli, prej reve të mëdha si malet, breshër me të cilin godet atë që do dhe e shmang prej atij që do. Shkëlqimi i vetëtimës veç sa s't'i merr sytë.
Allahu krijoi çdo gjallesë prej ujit. Disa prej tyre ecin (duke u zvarritur) me bark, disa ecin me dy këmbë e disa ecin me katër. Allahu krijon çfarë të dojë. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
A thua kanë sëmundje në zemrat e tyre?! Apo dyshojnë (në të Dërguarin)?! Apo kanë frikë se Allahu dhe i Dërguari i Tij do t'u bëjnë padrejtësi? Jo, por pikërisht ata janë të padrejtët.
Sa u përket besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij që të gjykojë mes tyre, ata thonë: "Dëgjojmë dhe bindemi." Këta janë të shpëtuarit.
Ata (hipokritët) betohen fuqishëm në Allahun se, nëse i urdhëron, ata do të dalin në luftë. Thuaju: "Mos u betoni! Bindja e duhur (është më e mirë). Pa dyshim, Allahu di hollësisht gjithçka që bëni."
Thuaj: "Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit." Nëse ata kthejnë shpinën, atëherë ai është përgjegjës për detyrën e vet, ndërsa ju jeni përgjegjës për detyrën tuaj. E, nëse i bindeni atij, do të jeni të udhëzuar. Detyra e të Dërguarit është vetëm kumtimi i qartë."
Allahu u ka premtuar atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira se do t'i bëjë sundues në Tokë, ashtu siç i kishte bërë ata para tyre, si dhe do t'ua forcojë fenë që zgjodhi për ta dhe do t'ua zëvendësojë frikën me siguri. Ata më adhurojnë vetëm Mua pa më shoqëruar asgjë (në adhurim). E, ata që mohojnë pas kësaj, mu ata janë të pabindurit.
O ju që besoni, ata që i keni nën zotërim dhe ata nga mesi juaj që nuk e kanë arritur ende moshën e pjekurisë, le të kërkojnë leje (për të hyrë) në tri kohë: para namazit të sabahut, kur i hiqni rrobat (për të pushuar) në mesditë dhe pas namazit të jacisë; tri kohë privatësie për ju. Jashtë këtyre kohëve, nuk ka asnjë faj për ju e as për ata të hyni te njëri-tjetri. Kështu jua sqaron Allahu ajetet! Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.
Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pjekurisë, le të kërkojnë leje (për të hyrë, në çdo kohë), siç kanë kërkuar leje ata para këtyre. Kështu jua sqaron Allahu ajetet e Tij. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.
Për gratë (e moshuara) që nuk kanë më të përmuajshme dhe nuk shpresojnë të martohen, nuk është gjynah të heqin petkun e jashtëm pa shfaqur bukurinë e tyre. Por, nëse përmbahen, kjo është më mirë për to. Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.
Nuk është gjynah për të verbrin, as për të çalin, as për të sëmurin (për moskryerjen e detyrave që nuk kanë mundësi t'i bëjnë) e as për ju që të hani në shtëpitë tuaja, ose në shtëpitë e baballarëve tuaj, ose në shtëpitë e nënave tuaja, ose në shtëpitë e vëllezërve tuaj, ose në shtëpitë e motrave tuaja, ose në shtëpitë e axhallarëve tuaj, ose në shtëpitë e hallave tuaja, ose në shtëpitë e dajallarëve tuaj, ose në shtëpitë e tezeve tuaja, ose në shtëpitë, çelësat e të cilave i zotëroni ju, ose në shtëpitë e miqve tuaj. Nuk është gjynah për ju të hani bashkë ose veç e veç. Kur të hyni në ndonjë shtëpi, përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje nga Allahu, të bekuar e të këndshme. Kështu jua shpjegon Allahu ajetet, që t'i kuptoni.
Besimtarë të vërtetë janë ata që besojnë në Allahun e në të Dërguarin e Tij dhe, kur janë me të për ndonjë çështje të përbashkët, nuk largohen pa i kërkuar leje atij. S'ka dyshim se ata që të kërkojnë leje, e besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pra, kur të të kërkojnë leje për ndonjë çështje të tyren, jepi leje kujt të duash prej tyre dhe kërkoji falje Allahut për ta! Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
Mos iu drejtoni të Dërguarit ashtu si i drejtoheni njëri-tjetrit! Pa dyshim, Allahu i di ata që tërhiqen nga ju tinëzisht. Prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i godasë ndonjë sprovë ose që të mos i kaplojë një dënim i dhembshëm.
S'ka dyshim se të Allahut janë gjithçka në qiej dhe në Tokë. Në të vërtetë, Ai e di gjendjen tuaj. E, Ditën që do të kthehen tek Ai, Ai do t'i njoftojë për atë që vepruan. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.