E, kur u erdhi atyre një Libër nga Allahu (Kurani), i cili vërtetonte atë që gjendej tek ata (Teuratin dhe Inxhilin), - ndërkohë më parë ata luteshin (të vinte i Dërguari) që të fitonin kundër jobesimtarëve, - ata e mohuan atë, edhe pse u erdhi ajo që e njihnin. Prandaj, mallkimi i Allahut qoftë mbi jobesimtarët!
Sa e keqe është ajo për të cilën ata shitën vetveten, kur mohuan atë që shpalli Allahu, nga zilia që Allahu zbret mirësinë (shpalljen) e Tij mbi këdo që dëshiron nga robërit e Vet. Kështu, ata tërhoqën mbi vete zemërim pas zemërimi. Për jobesimtarët do të ketë dënim poshtërues.
Kur u thuhet atyre (hebrenjve): "Besoni në atë që ka shpallur Allahu", ata thonë: "Ne besojmë në atë që na është shpallur neve", ndërkohë që mohojnë atë që erdhi më pas (Kuranin), ndonëse ajo është e vërteta që pohon atë që gjendet tek ata. Thuaju atyre (o Muhamed): "Atëherë, përse i vrisnit më parë të dërguarit e Allahut, nëse njëmend jeni besimtarë?!"
Kujtoni kur e morëm besën tuaj dhe e ngritëm mbi ju malin Tur, duke thënë: "Mbajeni fort atë që jua dhamë (Teuratin) dhe dëgjoni." Ata thanë: "Ne dëgjuam, por kundërshtojmë", ndërkohë që në zemrat e tyre ishte rrënjosur përnderimi i viçit, për shkak të mosbesimit. Thuaju: "Sa keq që ju urdhëruaka besimi juaj, nëse jeni besimtarë!"