“Udhëtoni nëpër botë ju (idhujtarë) edhe katër muaj (të sigurt), por ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut dhe se Allahu do t’i poshtërojë mohuesit”;
Ja shpallja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij drejtuar njerëzve në ditën e haxhit të madh: “Allahu dhe i Dërguari i Tij shkëpusin çdo detyrim ndaj idhujtarëve”. Nëse ju (idhujtarë) pendoheni, është më mirë për ju; por, nëse largoheni (nga pendimi), ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut! Njoftoji mohuesit për dënimin e dhembshëm (që i pret).
Përjashtim bëjnë ata idhujtarë, me të cilët keni lidhur marrëveshje e që nuk ju kanë shkelur asgjë prej saj dhe që nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush. Respektojeni marrëveshjen me ta deri në fund. Me të vërtetë, Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij).
Kur të kalojnë muajt e shenjtë (në të cilët ndalohet lufta), atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut, e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt. Kështu duhet, sepse ata janë njerëz që nuk dinë.