E përse të mos i dënojë Allahu, kur ata e pengojnë vizitën në Shtëpinë e Shenjtë (Qabe) edhe pse ata nuk janë kujdestarë të saj?! Kujdestarë të saj janë vetëm ata që i frikësohen Allahut, por shumica e tyre nuk e dinë.
Lutja e tyre në Shtëpinë e Shenjtë ishte vetëm me fërshëllima dhe rrahje duarsh. Prandaj (atyre do t’u thuhet:) “Provojeni ndëshkimin, pasi kurrë nuk besuat”!
Në të vërtetë, jobesimtarët e shpenzojnë pasurinë e tyre për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë, por në fund ajo do jetë vetëm dëshpërim për ta, sepse do të jenë të mundur. Ata që nuk besojnë, në Xhehenem do të tubohen,
që Allahu të veçojë të keqin nga i miri; të këqijtë t’i palosë njërin mbi tjetrin, e të gjithë t’i hedhë në Xhehenem. Këta, me të vërtetë, janë të humbur.
Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara e, nëse kthehen (në mosbesim), atëherë dënimi i popujve të mëparshëm është paralajmërim për ta.
Luftoni kundër tyre, derisa të zhduket idhujtaria dhe derisa të mbetet vetëm feja e Allahut. Nëse ata heqin dorë (prej mohimit), Allahu i sheh punët e tyre.