Kujto kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im, përse po më mundoni, kur e dini mirë se unë jam i dërguari i Allahut te ju?!” Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë); Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin jobesimtar.
Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Israilit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed[365], që do të vijë pas meje”. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!”
[365] Një emër tjetër i Profetit Muhamed (a.s.), që do të thotë “I lavdëruari”.
Kush është më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra kundër Allahut, ndërkohë që i bëhet thirrje për t’iu nënshtruar Atij?! Allahu nuk i udhëzon keqbërësit.
Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët.
Ai do t’jua falë gabimet tuaja dhe do t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në banesa të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja më e madhe.
O besimtarë, bëhuni ndihmësit e Allahut, ashtu siç u tha dishepujve Isai, i biri i Merjemes: “Kush janë ndihmësit e mi për çështjen e Allahut?” Dishepujt u përgjigjën: “Ne jemi ndihmësit e Allahut!” Kështu, një pjesë nga bijtë e Israilit e besoi, kurse pjesa tjetër e mohoi. Prandaj Ne i forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata dolën ngadhënjimtarë.