(Ai nuk i do) as ata që ndajnë nga pasuria e tyre sa për sy e faqe të botës dhe që nuk e besojnë Allahun e as Ditën e Kiametit. Ai që ka për shok djallin, dihet sa shok i keq është!
Atë ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që nuk i janë bindur të Dërguarit, do të dëshironin të rrafshoheshin me tokën, por Allahut nuk mund t’i fshehin asnjë fjalë.
O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni; as kur jeni të papastër[62] (xhunub) - përveçse nëse jeni duke udhëtuar, derisa të laheni. Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni bërë marrëdhënie me gra dhe nuk gjeni ujë, atëherë fërkoni fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër. Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.
[62] D.m.th. pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale ose pas derdhjes së farës.
A nuk i sheh ti (o Muhamed!) ata që iu është dhënë një pjesë prej Librit? Ata e ndërrojnë të mirën me të keqen dhe dëshirojnë që edhe ju të humbisni rrugën e drejtë.