I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! I lavdëruar qoftë Ai edhe në jetën tjetër! Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
Jobesimtarët thonë: “Nuk do të na vijë Ora (e Kiametit)”! Thuaju: “Po, për Zotin tim! Me siguri që ajo do t’ju vijë”! Ai i di të gjitha të fshehtat. Atij nuk mund t’i fshihet asnjë grimë as në qiej, as në Tokë e nuk ka asgjë më të vogël apo më të madhe se ajo, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë.
(Kiameti do t’ju vijë) me qëllim që Ai të shpërblejë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Për njerëz të tillë do të ketë falje dhe begati të mrekullueshme.
Ata, të cilëve u është dhënë dituria, e shohin se ajo, që të është zbritur ty nga Zoti yt, është e vërteta, e cila të udhëzon në rrugën e të Plotfuqishmit dhe të Denjit për çdo lavd.
Ndërsa jobesimtarët thonë: “A doni t’ju tregojmë një njeri[270] që pretendon se, kur të shpërbëheni plotësisht e të bëheni pluhur, ju, me siguri do të rikrijoheni nga e para?