Allahu nuk i ka dhënë asnjë njeriu dy zemra në kraharor. Ai nuk i konsideron gratë, që ju i ndani si nënat tuaja[254] e as fëmijët tuaj të birësuar nuk i konsideron si bij të vërtetë. Këto janë vetëm fjalë që dalin prej gojës suaj, kurse Allahu thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugë të drejtë.
[254] Vargu aludon për shprehjen “Më je bërë si shpina e nënës sime”, të cilën arabët paganë e përdornin si deklaratë divorci.
Thërritini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë në sytë e Allahut. Në qoftë se nuk e dini emrin e etërve të tyre, konsiderojini ata si vëllezërit tuaj të besimit dhe si të mitur nën tutelën tuaj. Nuk është gjynah nëse gaboni, por është gjynah, kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre. Sipas Librit të Allahut, pjesëtarët e farefisit janë më të afërt për njëri-tjetrin[255], sesa besimtarët e tjerë dhe të mërguarit[256], përveç rastit kur doni t’u bëni ndonjë të mirë miqve tuaj të afërt (me anë të testamentit). Kjo është shënuar në Libër.
[255] Për sa i përket trashëgimisë dhe të drejtave të tjera që rrjedhin nga afërsia e gjakut. [256] D.m.th. ndjekësit e Profetit (a.s.) nga Meka në Medinë.