S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë.
Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra. Nëse ti u thua: “Ju do të ringjalleni pas vdekjes”, mohuesit, me siguri do të thonë: “Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse magji e kulluar!”
Nëse Ne ua shtyjmë dënimin për një kohë të shkurtër, ata me siguri do të thoshin: “Kush po e vonon?” Por ditën që do t’u vijë dënimi, asgjë nuk do t’ua largojë atë dhe, do t’i përfshijë ajo që ata e përqeshnin.
E, kur pas fatkeqësisë që e ka goditur atë, Ne i japim atij dhunti, ai me siguri do të thotë: “Gjynahet e mia janë larguar nga unë!” atëherë bëhet i gëzuar dhe mendjemadh.
Mund të ndodhë që ti (Muhamed) të lësh mënjanë diçka nga ato që të janë shpallur ty dhe të të ngushtohet kraharori, sepse ata thonë: “Përse nuk i është dërguar ndonjë thesar?” ose, “Përse nuk vjen një engjëll me të?” Ti je vetëm paralajmërues e Allahu kujdeset për çdo gjë.