Ata e kthejnë mënjanë kokën (nga mendjemadhësia), që të largojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Këta njerëz do të poshtërohen në këtë botë, kurse në Ditën e Kiametit Ne do t’i bëjmë, që të shijojnë dënimin e zjarrit të ndezur fort
Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.
Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i fusë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Pa dyshim, Allahu bën çfarë të dëshirojë.
Kush mendon se Allahu nuk do ta ndihmojë (Muhamedin) në këtë botë dhe në botën tjetër, le të lidhë një litar në tavan e të varet! Pastaj le të shohë nëse do t’ia largojë ky veprim hidhërimin![210]
[210] Allahu i Madhërishëm ironizon të gjithë armiqtë e Profetit të Tij, duke iu thënë se Ai do ta ndihmojë gjithnjë Muhamedin (a.s.). Prandaj, kush ka inat, le të vdesë nga marazi, sepse nuk mund të bëjë asgjë kundër Profetit (a.s.).