[121] Frika se vendimi për të mos i lejuar më jomyslimanët të hyjnë në Mekë mund të shkaktonte rënie të tregtisë, i shqetësonte jo pak mekasit. Prandaj, Allahu i Lartmadhëruar i siguron besimtarët se do t’i pasurojë me begatitë e Veta.
[122] “Xhizje” quhet taksa vjetore, nëpërmjet së cilës hebrenjtë dhe të krishterët shprehin njohjen e tyre për shtetin islam. Pagimi i kësaj takse u jepte atyre statusin e “dhimmi-ut” - të mbrojturit, përmes të cilit fitonin të drejtën të jetonin në paqe dhe siguri në shtetin islam dhe të ushtronin pa pengesë fenë e tyre. Sigurisht që kjo taksë nuk ishte diskriminuese, sepse hebrenjtë dhe të krishterët ishin të përjashtuar nga dhënia e zekatit, që, për shkak të veçorive të tij, ishte detyrim vetëm për besimtarët. Në kohën e Profetit Muhamed (a.s.), sasia e xhizjes ishte dhjetë derhemë (rreth 30 gr argjend) për çdo mashkull të rritur, që në kohën tonë është e barasvlefshme me shpenzimet ushqimore të dhjetë ditëve. Gjithsesi, gratë, fëmijët, skllevërit dhe të varfrit ishin të përjashtuar nga kjo taksë.